Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.
Edhe Kosova e ka kritikuar këtë legjislacion të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial me këto projektligje.
Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa - si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe - në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur më herët gjatë javës disa masa për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të "ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe" në Kosovë. /REL