Suspendohen dy zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës
B.B., rreshter i Policisë së Kosovës, njëherësh shef i hetimeve dhe SH.L., polic, që të dy nga stacioni policor në veri të Mitrovicës, janë suspenduar me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Gazmend Hoxha, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it nga veriu.
Lajmi për suspendim të këtyre dy zyrtarëve policorë ka arritur sonte rreth orës 17:30 në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, përmes postës elektronike dhe i nënshkruar nga vetë drejtori Hoxha.
Zyrtarët policorë dyshohet se kanë keqtrajtuar natën në mes të premtes dhe së shtunës një qytetar serb nga veriu i Mitrovicës.
Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e këtyre zyrtarëve policorë, pasi dyshohen se më 26 tetor kanë keqtrajtuar M.S., i cili kishte dëmtuar një dyqan privat.