BE: Serbia ka shkelur obligimet nga dialogu me Kosovën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Bashkimi Evropian tha se Serbia i ka shkelur obligimet nga dialogu derisa e ka miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë.
Zëdhënësja Nabila Massaralli, tha për KosovaPress se “Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për të shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin që autoritetet gjyqësore të ndjekin vepra penale në Kosovë] në mënyrën siç janë publikuar, paraqesin shkelje të qarta nga Serbia të obligimeve nga dialogu dhe bien në kundërshtim me përkushtimin e përsëritur së fundmi për dialogun”.
Blloku i bëri thirrje Serbisë që ta rishqyrtojnë projektligjin në fjalë përmes së cilit synon krijimin e një prokurorie speciale për territorin e Kosovës.
Ky projektligj, ashtu siç është paraqitur, kërkon themelimin e një prokurorie speciale “për t’i ndjekur penalisht ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Bashkimi Evropian i ka kujtuar Serbisë detyrimet për respektim të të gjitha marrëveshjeve që kanë dalur nga dialogu i Brukselit.
Lidhur me këtë, të martën ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi duke thënë se Serbia po shkelë marrëveshjet me këto projektligje.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që prej vitit 2011.