A po rrezikohen të arriturat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?
Tema
Lexohet për: 4 min.
5 ditë më parë
Linku u kopjua

Gati një çerek shekulli pas nënshkrimit të saj, Marrëveshja e Ohrit po i sjellet përsëri në vëmendje faktorit ndërkombëtar. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, ka ngritur shqetësime se Maqedonia e Veriut mund të "kthehet në periudha pasigurie me vendimet e ekzekutivit për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u ka dërguar letër ndërkombëtarëve dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Shqipërisë për “mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve”, shkruan KosovaPress.

“Planet për shfuqizim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike”, janë tri pikat që sipas Ahmetit rrezikojnë parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik.

Njohësit e rrethanave politike derisa flasin për KosovaPress, konsiderojnë se duhet të ketë reagim nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Sipas tyre, zhvillimet e fundit në Maqedoni të Veriut rrezikojnë të arriturat e deritanishme të shqiptarëve.

"Ekzekutivi i ri ka ndërmarrë disa hapa që sikur vënë në pikëpyetje atë që është arritur deri tani dhe që rezulton të jetë si një sinjal për kthim prapa kur është fjala për atë që kanë mbërritur shqiptarët deri më tani”, thotë në një deklarim për KosovaPress nga Shkupi, Seladin Xhezairi.

Ai konsideron se këto zhvillime do të prodhojnë tension në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni thotë për KosovaPress, se shqiptarët në Maqedoni tani kanë nevojë për mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria.

“Reagimi do të jetë jashtëzakonisht i vakët dhe do të jetë thjesht për të larë gojën”, shprehet Andoni.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Për Ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor të këtij viti.

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi derisa flet për KosovaPress thotë se Gjykata Kushtetuese po realizon programin zgjedhor të VMRO-DPMNE. Kjo e fundit udhëheq qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga mesi i këtij viti ndërkaq në koalicion e ka VLEN-in që përbëhet nga shqiptarët.

Për këto, Ahmeti i BDI-së - përmes letrës  - i ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Sipas BDI-së, letra u është dërguar edhe presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, si dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me këtë letër.

https://kosovapress.com/ali-ahmeti-u-dergon-leter-nderkombetareve

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i ka dërguar letër edhe kryeministrit Hrisitjan Mickoski.

Ky i fundit u tha të hënën mediave se nuk e ka parë letrën por sipas tij, letrës së Ahmetit "duhet t’i kushtohet rëndësi" si çdo letre që vjen nga qytetarët.

Ndër të tjera, në letër, Ahmeti ka thënë çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e Ohrit është një hap që mund të përkeqësojë situatën në vend dhe rajon.

Ndërkaq, Bilall Kasami i VLEN-it që është pjesë e qeverisë, shkroi të hënën në Facebook se “derisa Aliu dërgon letra lart e poshtë, ne po avancojmë çdo çështje shqiptare, të cilat partia e tij, i bllokoi dhe në emër të tyre i mashtronte shqiptarët”.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 2001 më ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe pas negociatave disa ditore intensive në Shkup.

Dokumenti që njihet si kontratë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme./Sh.Pajaziti

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024