Gashi kërkon dorëheqjen e Kurtit: Po dëshmohet se LVV-ja ka humbur shumicën parlamentare
Tema
Lexohet për: 3 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje dhe vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje, pasi sipas tij, po dëshmohet se pushteti aktual nuk është i aftë për të qeverisur vendin. Gashi deklaron se mazhoranca në Kuvend për shkak të humbjes së numrave s’po merr pjesë në seanca të jashtëzakonshme, si dhe nuk po thërret seanca të rregullta plenare.

Javë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje janë larguar tre deputetë. Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet dhe janë deputetë të pavarur, kurse deputetja Drita Millaku ka aderuar në LDK. Më parë nga LVV-ja, janë larguar edhe deputetët, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli. Përveç deputetes Millaku, shefi i deputetëve të LDK-së, paralajmëron se shumë shpejtë edhe deputetë të tjerë të LVV-së, do të aderojnë në LDK.

Në anën tjetër, mazhoranca s’ka marrë pjesë në katër seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrura nga opozita.

Gashi në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për bashkëpunimin LVV-Lista Serbe, porositë amerikane për Kosovën, situatën në veri të Kosovës, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Duke përmendur publikimin e përgjimeve ku dëgjohet shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila të bisedojë me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, tashmë terroristin, Milan Radoiçiq, Gashi thotë se një gjë e tillë është shqetësuese dhe dëshmon bashkëpunimin e LVV-së me Listën Serbe.

Gashi për KosovaPress thotë se porositë amerikane janë gjithnjë më eksplicite dhe ndëshkuese për Kosovën. Duke komentuar vizitën ditë më parë në Kosovë të ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike James O’Brien, shefi i deputetëve të LDK-së, thotë se nuk pret ndonjë reflektim pozitiv dhe afirmativ për Kosovën nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Sa i përket situatës në veri, Gashi deklaron se atje momentalisht ka një gjendje të përkohshme, ku në teren ka prezencë më të madhe të policisë së Kosovës dhe largim të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë.

Mirëpo sipas tij, problematike është gjendja juridike, pasi konsideron se kryeministri Albin Kurti, përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi i ka dhënë autonomi substanciale komunave në veri.

Në anën tjetër, Gashi nënvizon se LDK-ja, është e gatshme për të dalë si parti fitimtare në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai bën të ditur se edhe deputetë të LVV-së kanë interesim për t’iu bashkuar LDK-së, krahas deputetes Drita Millaku, e cila adresoi në LDK ditë më parë.

Gjatë kësaj legjislature në Kuvend, para dy viteve edhe deputetja, Doarsa Kica-Xhelili nga mazhoranca ka kaluar në LDK.

Krahas këtyre, Gashi bën të ditur se partitë opozitare do të vazhdojnë thirrjen e seancave të jashtëzakonshme në Kuvend, siç thotë për ta dëshmuar paaftësinë e qeverisjes së LVV-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024