Von der Leyen nesër në Kosovë, Qeveria pret të diskutohet për përfitimet e Kosovës në Planin e Rritjes
Tema
Lexohet për: 4 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nesër do të vizitojë Kosovën, në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo të zhvillojë takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se në takim do të diskutohet për zbatimin e agjendës së reformave, Planin e Rritjes së BE-së, si dhe përfitimet për Kosovën. Në anën tjetër, njohësit e integrimit evropian, thonë se fokusi i mesazheve të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jetë bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe disbursimi i pagesës së parë në kuadër të Planit të Rritjes. Derisa kërkojnë edhe mesazhe të qarta për largimin e masave ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës.

Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka ndarë 6 miliardë euro. Kosovës do t’i takojnë mbi 800 milionë euro. Mjetet e para nga ky fond pritet të ndahen në fund të këtij viti. Ndryshe nga vendet e rajonit, për Kosovën dhe Serbinë përfitimi i milionave të BE-së, është i ndërlidhur me angazhimin konstruktiv në dialog.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se në takimin e nesërm të kryeministrit Albin Kurti me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të diskutohet për zbatimin e agjendës së reformave, Planit të Rritjes, përfitimet për Kosovën, si dhe marrëdhëniet Kosovë-BE.

Kryeziu nuk u përgjigj në pyetjet nëse presin nga Von der Leyen që nesër të marrin një datë se kur do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Kryeministri Kurti nesër do të mirëpresë Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen. Kjo vizitë po vjen disa ditë pasi që BE-ja miratoi agjendën e reformave të Kosovës, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në takimin e nesërm pritet të diskutohet për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, përfitimet për Kosovën dhe qytetarët tanë, marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian dhe rrugën tonë integruese”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se mesazhe kyçe të presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë, do të jenë bashkëpunimi më i madh i vendeve të rajonit, si dhe realizimi i reformave si parakushte për integrim evropian.

Nga vlera e përgjithshme e Planit të  Rritjes, prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress, se Von der Leyen duhet të jetë më e qartë në Kosovë sa përket masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, krahas mesazheve të tjera për integrimin evropian.

Së fundmi Komisioni Evropian miratoi agjendën e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i hapur mundësi rajonit për qasje në Planin e Rritjes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitën në rajon e ka nisur të mërkurën në Shqipëri, pastaj në Maqedoni të Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe pas qëndrimi në Kosovë ajo do të shkojë në Mal të Zi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024