Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i ka bërë thirrje sot Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Leyen, e cila ndodhet për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë së cilës të shtunën do të qëndrojë në Kosovë, përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.Ndërsa kryeministri Mickoski deklaroi se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar në rrugën drejt BE-së dhe se me ndihmën e bllokut “mund të tejkalohet çdo sfidë”.
“Qëllimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë”, tha ai.
Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar.
Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese. /REL