Roli i gjykatave kushtetuese është të mbikëqyrin dhe të sigurojnë që të gjitha ligjet dhe veprimet e institucioneve shtetërore të jenë në përputhje me normat kushtetuese.
Kështu u tha në sesionin e dytë të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit me temën “Gjykata Kushtetuese si Gardiane të Vlerave dhe Parimeve Demokratike: Balancimi i Pushtetit Ekzekutiv, Legjislativ dhe Gjyqësor në shtetet moderne”.
Zëvendëskryetari i Komisionit të Venecias, Martin Kuijer u shpreh se opinionet e Komisionit të Venecias merren si burim nga Gjykatat Kushtetuese.
Sipas tij lista kontrolluese e sundimit të ligjit është një dokument i rëndësishëm, pasi identifikon elementet kryesore për sundimin e ligjit dhe sundimin e së drejtës
Zëvendëskryetari i Komisionit të Venecias në fjalën e tij gjatë Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit tha se si Komision ka filluar ta azhurnojë Listën Kontrolluese të Sundimit të Ligjit, për të cilën pret qasje më të gjerë.
“Komisioni i Venecias ka bërë punë në lidhje me participimin apo pjesëmarrjen ka miratuar një check listë lidhur me perimetrin e çështjeve në mes të shumicës parlamentare dhe opozitës, por personalisht mendoj se mund të bëhet më shumë në këtë sferë. Kohëve të fundit komisioni ka filluar në azhurnuar e listës kontrolluese të sundimit të ligjit dhe unë do të prisja një qasje më të gjerë ndaj çështjeve të trajtuara në listën ekzistuese për të reflektuar në raportin e afërt në mes të sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe për të elaboruar për çështje thelbësore të demokracisë dhe parimet”, u shpreh ai.
“Në shtetet moderne pas Luftës së Dytë Botërore, gjykatave kushtetuese iu dha një përgjegjësi e rëndësishme në garantimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e rendit social demokratik dhe iu dha një rol i rëndësishëm si mbrojtëse të parimeve demokratike. Arsyeja e ekzistencës së këtyre gjykatave, të cilat kryesisht për detyrë të kontrollojnë kushtetueshmërinë e akteve legjislative dhe ekzekutive është mbrojtja e vlerave, parimeve, principeve dhe dispozitave themelore që përmban kushtetuta. Gjykata kushtetuese u krijua për të realizuar qëllimin e përbashkët për të mbajtur gjallë popullin dhe shtetin mbi bazën e të drejtësisë… Roli i gjykatave kushtetuese, të cilat janë organe të kontrollit kushtetues nuk mund të mohohen në këtë kontekst, shumica e vendeve demokratike kanë gjykata kushtetuese që kontrollojnë kushtetueshmërinë e ligjeve. Nga ana tjetër ankesa kushtetuese apo aplikimi individual që u mundëson individëve qasje të drejtpërdrejtë në gjykata kushtetuese me pretendimin se të drejtat e tyre kushtetuese janë shkelur është përkrahur gjithnjë e më shumë dhe është bërë pjesë e gjyqësorit kushtetues”, tha ai.
Zëvendëskryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, Valerija Galiq theksoi se roli i gjykatës kushtetuese është të mbikëqyrë dhe të sigurojë që ligjet janë në përputhje me normat kushtetuese. Sipas saj, gjykatat kushtetuese po sfidohen nga politizimi dhe presionet nga pushtetet ekzekutive.
Për rolin e Gjykatave Kushtetuese si gardiane të vlerave dhe parimeve demokratike foli edhe zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Mato Arloviq.
“Deshëm apo nuk deshëm, praktikat e gjykatave kushtetuese tregon se kushtetutat sipas rregullit mund të aplikohen edhe drejtpërdrejt ku kërkohet që ajo të bëhet përmes ligjeve. Në këtë kontekst të rolit të gjykatës kushtetuese gjatë përcjelljes dhe kontrollimit të kushtetueshmërisë dhe vërtetimit të këtyre pasojave mund të jetë shumë domethënëse…Kur vërehen parregullsi kushtetuese ekziston edhe dallimi esencial në mes të aktvendimeve dhe vendimeve që vijnë pranë gjykatës kushtetuese këto vendime që i sjellën gjykatës kushtetuese janë të natyrës së përgjithshme, pra janë obliguese për të gjithë dhe në këtë aspekt kanë edhe fuqi ligjore. Por, raportimet për këto pa kushtetueshmëritë e hetuara ato nuk e kanë karakterin apo natyrën më shumë e kanë karakterin udhëzues dhe tërheqjen e parlamentit apo qeverisë për mos përputhje të mundshme për shkak të vakumit kushtetues e ligjor”, u shpreh ai.
Ky forum profesional është themeluar me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese./B.Ibishi/