Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse, mesazh se njohja e Kosovës është larg
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet – i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë – është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thanë për KosovaPress se vendimi është marrë për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe “zvogëlimit të buxhetit”.

“Sipas vendimit të qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bratisllava.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Jashtme e Kosovës i tha KosovaPress-it se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me shtetin sllovak.

Sllovakia është një nga pesë shtetet e bllokut që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

Sllovakia e konsideron Serbinë partner kyç në Ballkanin Perëndimor.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci nuk përjashton mundësinë që vendimi për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën e Beogradin.

“Pushteti i kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico është i orientuar komplet pro Moskës. Këtë, kohëve të fundit nuk e fsheh pavarësisht që janë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s", thotë Koci.

Mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, Koci e konsideron hap prapa drejt njohjes nga shteti sllovak.

Edhe Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), konsideron se vendimi i shtetit sllovak ka të bëjë me politikën e përgjithshme anti-kosovare.

“Pa dyshim që ka një mesazh politik që bartë në vete dhe që është se shteti sllovak nuk dëshiron të ketë marrëdhënie zyrtare me Qeverinë e Kosovës", thotë ai.

Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Jashtme e Kosovës tha më herët të mërkurën se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes “Zyrës ndërlidhëse por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

“Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera", thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.

E sipas njoftimit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, pas mbylljes, shërbimet për qytetarë dhe raportet diplomatike do të mbahen nga ambasadat sllovake në shtetet fqinje./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024