Të enjten, më 24 tetor do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak. Në Qeverinë e Kosovës dhe në Bashkimin Evropian nuk e konfirmuan për KosovaPress se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.
Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit. Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian, mirëpo në partinë më të madhe opozitare, PDK si dhe njohës të procesit të dialogut nuk presin progres në dialog.Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.
Përkundër takimeve në Bruksel, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa nuk pret progres në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura.Ndërkaq, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se edhe nëse ndodh takimi trilateral nesër në Bruksel do të jetë vetëm sa për fotografi për kinse normalizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve.
Megjithatë, Arifi potencon se ka probabiliteti sado të vogël që palët të pajtohen për një plan të sekuencimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si parakusht për të pasur qasje në fondet në kuadër të Planit të Rritjes.
Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.