A do ketë Kosova energji elektrike gjatë sezonit të dimrit?
Tema
Lexohet për: 3 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po planifikon që të rrisë prodhimin e energjisë elektrike për sezonin e dimrit, por nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) konsiderojnë se kërkesa për konsum është më e madhe sesa prodhimi vendor. Sipas KESCO-s edhe këtë vit do të ketë nevojë për import të energjisë elektrike nga Shqipëri dhe Hungaria, raporton KosovaPress.
Përveç kësaj, zyrtarë të KESCO-s paralajmërojnë se nëse vazhdon importi me çmime të larta dhe vlerë të madhe, kjo mund të reflektojë në tarifat e vitit të ardhshëm për konsumatorët.
Në anën tjetër zëdhënësi KEK-ut, Skënder Bucolli në një prononcim për KosovaPress derisa tregon se dy njësi në këtë korporatë kanë qenë në remont (riparim), potencon se planifikojnë që të ketë më shumë sasi të energjisë elektrike sesa vitin e kaluar.
Bucolli thotë se në periudhën janar-shtator të vitit 2023 është prodhuar mbi 4 milionë megavat orë energji elektrike dhe mbi 5 milionë ton thëngjill.
Ndërkaq, zëdhënësja në KESCO, Margarita Rashiti thotë se furnizimi me energji elektrike për konsumatorët gjatë stinës së dimrit varet nga disa faktorë.
Ajo thekson se janë të obliguar që të importojnë energji elektrike rreth 600 megavat për orë nga shtetet e tjera me të njëjtin çmim siç e blejnë edhe vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, Rashiti thekson se nëse vazhdon importi me çmime të larta dhe vlerë të madhe, kjo mund të reflektojë në rritjn e tarifave në vitin e ardhshëm për qytetarët konsumator.
Lidhur me këtë, eksperti i energjisë Arben Kllokoqi thotë se në situata të tilla ku kërkesa për konsum rritet dhe tarifa nuk e mbulon koston, mund të bëhet thirrje për kursim sa më të madh të energjisë elektrike.
Ndërkaq, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) tregojnë për mbulueshmërinë e prodhimit të energjisë në vend dhe ato të importit.
"Rreth 85% e konsumit në Kosovë mbulohet nga Prodhimi i energjisë elektrike nga Termocentralet e TC Kosova A dhe TC Kosova B dhe nga Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, ndërsa rreth 15% e konsumit mbulohet përmes importit të kontraktuar nga KESCO dhe KEDS”, thuhet në përgjigjen e ZRRE për KosovaPress.
Përveç këtyre, nga KESCO tregojnë se çdo muaj vetëm 13.6 për qind të konsumatorëve kanë tejkaluar bllok tarifën apo kanë shpenzuar mbi 800 kilovat.
Derisa në dy vitet e fundit ka pasur dy herë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Në prill të vitit 2023, ZRRE vendosi që tarifa të rritet për 15.4 për qind. Po ashtu ZRRE-ja edhe më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kËh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.