Në një vendim historik, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tha se ligji i Rusisë për “agjentët e huaj” shkel Konventën evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shuar se ligji është “arbitrar” dhe “përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme”.
Rasti u dërgua në gjykatë nga 107 paditës, përfshirë organizata të mëdha mediale, sikurse Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (Radio Svoboda), dhe organizata për të drejtat e njeriut, si Memorial.
“Gjykata gjeti se legjislacioni që aplikohet aktualisht është stigmatizues, mashtrues dhe përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme. Kjo bëri që gjykata të vjen në përfundim se qëllimi i ligjit është të ndëshkojë dhe frikësojë, e jo të adresojë ndonjë pretendim për nevojën për transparencë apo shqetësime legjitime lidhur me sigurinë kombëtare”, u tha në vendim.
Ligji rus, që u prezantua më 2012 dhe u zgjerua më 2022, u kërkon organizatave që pranojnë fonde nga jashtë që të regjistrohen si “agjentë të huaj”, duke i nënshtruar ato ndaj kërkesave të ashpra të raportimit, auditimit dhe kërkesave të tjera.Gjykata tha se në opinionin publik në Rusi, termi “agjentë të huaj” asocion me “tradhtarë” dhe “spiunë”, duke stigmatizuar organizatat dhe individët që cilësohen si të tillë. Gjykata po ashtu gjeti se publikimi i të dhënave personale të paditësve dhe kërkesat për raportimin e detajuar të financave të tyre përbën shkelje të të drejtës së tyre për privatësi.
Sipas ligjit, Shërbimi Rus i Radios Evropa e Lirë është dënuar me mbi 16 milionë euro për shkak të dështimit që të respektojë ligjin. Ky shërbim është një ndër subjektet më të gjobitura në mesin e grupit që dorëzuan padinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pavarësisht se është përjashtuar nga Këshilli i Evropës më 2022 pasi nisjes së luftës kundër Ukrainës, Rusia ende obligohet që të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për rastet që datojnë para se ajo të përjashtohej nga Këshilli.
Radio Evropa e Lirë është zotuar se do të vazhdojë punën e saj, pavarësisht represionit rus. REL-i është detyruar ta mbyllë byronë në Moskë më 2022 dhe shumë nga gazetarët e tij janë shpallur “agjentë të huaj”.
Më 2023, një gjykatë në Moskë shpalli falimentimin e Shërbimit Rus të REL-it, megjithatë kjo media vazhdon të ofrojë lajme nga jashtë shtetit për miliona qytetarë rusë dhe mban pavarësinë editoriale, teksa financohet nga Kongresi amerikan.