Destabilizimi i Moldavisë, 4 të arrestuar për stërvitje në Rusi, Bosnje e Serbi
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Destabilizimi i Moldavisë, 4 të arrestuar për stërvitje në Rusi, Bosnje e Serbi
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Moldavia ka identifikuar më shumë se njëqind të rinj që dyshohet se janë stërvitur në Rusi, Bosnje dhe Serbi me qëllim destabilizimin e vendit.

Kreu i Inspektoratit Kryesor të Policisë, Viorel Cernauțeanu, tha se katër persona janë arrestuar më 17 tetor dhe janë dërguar në paraburgim 30 ditë, raporton Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë.

Rreth 100 persona të tjerë janë “dokumentuar” dhe po hetohen, porse mbeten në kërkim. Dyshohet se ata planifikuan “destabilizimin” e Moldavisë, pas zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit të 20 tetorit.

Cernauțeanu tha se disa të rinj kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me policinë.

Policia publikoi pamjet e kamerave të fshehta nga stërvitjet e supozuara në Rusi, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ku mund të shihen të rinj në klasa, teksa “ushtrohen për protesta” dhe thërrasin slogane si “gjuha jonë është ruse”, “jo shtetësisë së dyfishtë” dhe “ne nuk duam të hyjmë në Evropë”.

Autoritetet në Bosnje dhe Serbi nuk reaguan ende ndaj këtyre informacioneve.

Në videon, e cila supozohet se tregon skena nga një kamp stërvitor në Ballkan, të rinjtë shfaqen duke mësuar të bëjnë eksploziv dhe të përdorin dron.

Sipas policisë, të rinjtë janë rreth 20 vjeç dhe kanë udhëtuar drejt Rusisë për stërvitje nga qershori deri në tetor. Disa prej tyre janë trajnuar edhe në kampet në Serbi dhe në Bosnje të grupeve ushtarake private ruse, Ferma dhe Wagner, sipas autoriteteve të Moldavisë.

“Ata janë trajnuar për përçarje kombëtare, destabilizim të rendit kushtetues, taktika të sfidimit të agjencive të zbatimit të ligjit dhe përdorim të armëve, të cilat do t’i përdornin në protesta të organizuara ose me pretekstin e eliminimit të kandidatëve të caktuar apo manipulimit të zgjedhjeve”, tha shefi i policisë moldave.

Autoritetet në Kishiniev dhe disa qeveri perëndimore paralajmëruan në fillim të qershorit se Rusia dhe oligarku i arratisur nga Moska Ilan Shor planifikojnë trazira masive nëse zgjedhjet presidenciale të Moldavisë dhe referendumi për anëtarësimin në BE përfundojnë me rezultate të pafavorshme për Kremlinin.

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen së bashku me një referendum që do t’i pyesë votuesit nëse Moldavia duhet të ketë mundësi të anëtarësohet në BE. Shtetet e Bashkuara përsëritën më 15 tetor se Rusia po përpiqet t’i minojë zgjedhjet, duke shpenzuar miliona dollarë për këtë qëllim.

BE-ja e kritikoi gjithashtu Rusinë dhe i bëri thirrje asaj që t’i ndalojë “provokimet dhe përpjekjet për ta destabilizuar Moldavinë”, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit.

Moldavia e siguroi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2022 dhe nisi bisedimet e anëtarësimit me bllokun në fillim të këtij viti. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024