Skuadra e U19 e “2 Korrikut” ka bërë histori duke u kualifikuar në raundin e dytë të UEFA Youth League. Ata eliminuan rivalët e tyre shqiptarë, Bylisin, me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Në raundin tjetër, skuadra kosovare do të përballet me skuadrën irlandeze UCD, derisa ballafaqimi i parë zhvillohet më 23 tetor. Deri te ky sukses trajneri Labinot Haziri thotë se erdhi si rezultat i punës së palodhshme të lojtarëve.
Madje Haziri është i bindur se ky sukses do të vazhdojë edhe më tutje pasi që synimi është që të kalohet edhe raundi i dytë në këtë garë.
“Kemi siguruar materiale për video-analizën për kundërshtarin me të cilin do të ballafaqohemi. Nuk e di, mënyra e futbollistëve, si do të jetë gjendja fizike e tyre, sepse ne i kemi edhe dy xhirot e kampionatit të Kosovës që do t’i zhvillojmë para ndeshjes në Evropë. Nëse jemi të kompletuar, pa lëndime të tjera, atëherë besoj se do ta kalojmë”, tha Haziri.I bindur se “2 Korriku” do ta kalojë edhe raundin e dytë, është shprehur futbollisti Daris Gashi.
Ndeshjen e parë kundër UCD, “2 Korriku” do të zhvillojë si vendas më 23 tetor, ndërsa atë të kthimit në udhëtim më 6 nëntor.