Drafti i projektligjit për Shëndetësi, i cili aktualisht është në konsultime paraprake, po kundërshtohet nga Odat e profesionistëve shëndetësorë, derisa jetësimi i tij përgjatë kësaj legjislature po konsiderohet si proces i pamundur për shkak të vonesave në hartimin e tij.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se aktualisht projektligji është në konsultime paraprake, të cilat më pastaj do t’i hapin rrugë procedimit në Kuvend.
Por, drafti i këtij projektligji të rëndësishëm për shëndetësinë kosovare po kundërshtohet nga Odat e profesionistëve shëndetësorë me arsyetimin se po tentohet t’u merren kompetencat.
Kryetari i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Feim Gashi u shpreh se nuk janë aspak të kënaqur me draftin aktual.Sipas Gashit, draft-ligji aktual nuk duhet të kalojë pasi ka vërejtje të shumta.
Vonesat për hartimin e projektligjit për Shëndetësi nga partitë opozitare po konsiderohen të pajustifikueshme. Madje, ata nuk besojnë që ky projektligj do të vijë në Kuvend përgjatë legjislaturës së tetë. Deputeti nga radhët e PDK-së Bekim Haxhiu shprehet pesimist për ecurinë e këtij projektligji.
Ligji për shëndetësi për herë të parë është votuar në Kuvend në vitin 2013.