Në Pallatin e Kongreseve takimi vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024 dhe për të prezantuar Strategjinë e re Kombëtare të Turizmit nën vizionin e Shqipërisë turistike 2030.
Ministrja Mirela Kumbaro, bëri një pasqyrë të projekteve dhe bilanc të shifrave, duke theksuar se ky sezon turistik u mbyll me 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator.Ajo u shpreh më tej se Shqipëria ka arritur të konsolidojë një ofertë turistike të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin, çka konfirmohet edhe nga rritjet e numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura e parqet kombëtare, sitet e kulturës dhe në sipërmarrjet e agroturizmit.
“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milionë vizitorët e lokacioneve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agroturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”, vazhdoi ministrja Kumbaro.“Strategjia mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik”, u shpreh ministrja, duke njoftuar se dokumenti do të hidhet për konsultim publik në javën e ardhshme.
Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.