Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz premtoi sot mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë agresore.
Ai në një konferencë të përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin tha se Gjermania vazhdon të qëndrojë e vendosur në krah të Ukrainës.
Scholz akuzoi Rusinë për një luftë vrastare agresioni kundër Ukrainës dhe tha se presidenti rus Vladimir Putin "po luante për kohën" dhe po priste që mbështetja perëndimore të pushonte.
Ai nënvizoi se Gjermania do të vazhdojë të fokusohet në forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të ushtrisë ukrainase, në mënyrë që të mbrojë infrastrukturën civile dhe sistemet energjetike.Scholz tha gjithashtu se Gjermania do të dorëzojë një tjetër paketë mbështetjeje ushtarake me vlerë rreth 1.4 miliard euro deri në fund të këtij viti, me mbështetjen e Belgjikës, Danimarkës dhe Norvegjisë.
“Kjo do të përfshijë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore IRIS-T dhe Skynex, tanke antiajrore Gepard, obus vetëlëvizës, tanke kryesore luftarake, automjete të blinduara, drone luftarake, radarë dhe municione artilerie,” tha ai.