Agjenda e reformave, Kurti: Kosova mund t’i përfitojë 882 milionë euro nga BE
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua
Qeveria e Kosovës ka miratuar agjendën e reformave të Kosovës në kuadër të instrumentit të BE-së për reforma dhe rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Si rezultat i këtij plani u tha se Kosova mund t’i përfitojë deri në 882 milionë euro si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për rajonin.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe Projektligjin për shërbimet e pagesa, u dakorduan që në mbledhjen e radhës t’i ndajnë 200 mijë euro Bosnjës pas vërshimeve si dhe ndanë rreth 58 mijë euro për 22 specializant me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ndërkaq emëruan Besim Kamberaj, sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Kryeministri Albin Kurti tha se zbatimi i planit në kuadër të reformave të Kosovës është prioritet i veçantë i ekzekutivit.
Duke arsyetuar nevojën e Projektligjit për shërbimet e pagesave, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se përmes tij do të hapet rruga e integrimit të sistemit financiar me zonën SEPA (Single Euro Payments Area).
Me integrim në SEPA, sipas tij, bizneset dhe qytetarët tanë parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve.
Para qeveritarëve, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla kërkoi që t’i ndajnë 200 mijë euro për Bosnjën pas vërshimeve që ndodhën atje javën e kaluar.
Kjo kërkesë u mirëprit nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi. Krahas këtyre, qeveria miratoi edhe rregulloren për procedurën e pranimit të nëpunësve të shërbimit publik në sektorin e shëndetësisë dhe një mori projektligjesh të tjera./E.Zeqiri/