Kurti në takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it: Ulutash kontribuoi në fushën e sigurisë
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Takimi i pestë zyrtar për këtë vit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, kësaj radhe ishte ai i lamtumirës, kur po i vjen fundi mandatit të Gjeneral Majorit.
“Duke e falënderuar komandantin e KFOR-it Ulutas për kontributin e shërbimin e tij në fushën e sigurisë, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e ngushtë, komunikimin, koordinimin dhe bisedat përherë të sinqerta e në frymën e sinergjisë për ruajtjen e paqes e sigurisë”, citohet Albin Kurti në komunikatë.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona të sigurisë e veçanërisht Policisë së Kosovës me Misionin e NATO-s në Kosovë KFOR-in. Kryeministri nënvizoi edhe rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ofrimit të një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
Kryeministri Kurti shoqërohej në këtë takim nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.