Asociacioni i Komunave kërkon zgjidhje për Kontratën Kolektive, këto janë humbjet financiare
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Kontrata Kolektive dhe Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar” ishin ndër temat për të cilat u diskutuan në takimin e mbajtur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrit e Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe kryetarët e komunave.

Në këtë takim u kërkua zgjidhje e menjëhershme nga qeveria aktuale sa i përket Kontratës kolektive, për çka u theksuan dëmet që po u shkaktohen  komunave si pasojë e obligimeve të dala nga Kontrata Kolektive.

Përveç kësaj, nga pushteti u diskutua rreth problematikës me qentë endacak.

Kryeministri Kurti tha se çështja e qenve endacak po rëndohet çdo herë e më shumë, për çka u bëri thirrje komunave që bashkë me ministritë e linjave  të përcaktojnë lokacionet për tu ndërtuar qendrat për trajtimin e tyre të përkohshëm. Ai tha se qeveria e Kosovës është e gatshme që të bashkëfinancojë për këtë projekt.

Kurti potencoi se komunat duhet të vazhdojnë fushatën e tyre për kastrimin, vaksinimin dhe sterilizimin e qenve endacak. 

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, për çka Kurti tha se ky projekt do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshme të komunave.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit theksoi se duhet fuqizuar bashkëpunimi me komuna pasi kjo ndikon në interesin e qytetarëve dhe shtetit.

Përveç kësaj, ai u bëri thirrje kryetarëve të komunave  që të fillojnë me sistemin e arsimit dual, pasi disa prej tyre ende nuk kanë filluar.

Po ashtu edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se problematika e qenve endacak kërkoj qasje të shpejtë dhe reagim institucional.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu theksoi dëmet e shkaktuara financiare nga kontratat kolektive.

Ai tha se komunat e Kosovës po sfidohen me jostabilitet financiar dhe se kërkoi nga kryeministri Kurti zgjidhje të menjëhershme për obligimet që dalin nga kontratat kolektive.

Aliu potencoi se për shkak të kësaj, komunat e Kosovës kanë humbur rreth 115 milionë euro të buxhetit komunal.

Ai kërkoi nga qeveria e Kosovës që të bëjë mbulimin e plotë të shpenzimeve në kuadër të kontratave kolektive për vitin 2025 dhe viteve në vazhdim përmes kornizës afatmesme.

Përveç kësaj, Aliu kërkoi që mjetet e humbura të rimbursohen.

Lidhur me këtë, Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se është e pamundur që të ndahen mjete për mbulimin e shpenzimeve apo rimbursimin e tyre.

Sipas tij, për shkak të veprimeve të mëhershme nga qeveritë e kaluara, buxheti aktual nuk u lejon që të realizojnë këtë kërkesë të komunave lidhur me kontratat kolektive.

Përveç kësaj, Murati konsideroi se është e pamundur të mos bëhet bllokimi i xhirollogarive nëpër komuna për çka përmendi se ky është vendim gjyqësor i formës së prerë.

Murati e vlerësoi si enigmatike çështjen se pse ende nuk ka asnjë person përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga obligimet e kontratave kolektive.

Ky është takimi i shtatë ndërmjet kryetarëve të  Komunave të Kosovës dhe kryeministrit Kurti dhe ministrave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024