Në përfundim të diskutimeve në panelin për arsim, rini, kulturë dhe sport, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, këshilltarja nga MKRS Nora Arapi ka thënë se trashëgimia kulturore është gjetur në gjendje “kome” jo nga pandemia por nga mungesa e investimeve dhe vëmendjes shtetërore.
Sipas Arapit, MKRS-ja menjëherë ka filluar me trajtimin e emergjencave duke zhvilluar ndërhyrje me karakter shpëtimi në dhjetëra monumente me qëllim të stabilizimit të vendit.“Trashëgiminë kulturore në fillim të mandatit tonë e kemi gjetur në gjendje kome, jo nga pandemia, por nga mungesa e investimeve dhe vëmendjes shtetërore. Menjëherë kemi filluar me trajtimin e emergjencave, duke zhvilluar ndërhyrje me karakter shpëtimi në dhjetëra monumente anekënd vendit, me qëllim të stabilizimit të vendit. Kur e panë seriozitetin e punës tonë, tentimi i fundit ishte edhe zjarrvënia, në mënyrë që të dëmtohen monumentet dhe asgjësohen, por edhe aty kanë dështuar pasi që kemi reaguar menjëhershëm dhe kemi bërë gjithçka që këto dëmtime të ndalen”, ka thënë Arapi.
Ndërsa, për ri-jetësimin e qytetit të Janjevës, Arapi ka shtuar se kanë ndërhyrë në 14 shtëpi, në infrastrukturë të rrugës, ujësjellësit dhe kanalizimit në mënyrë që këto monumente të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik.Ajo tha se për kryeqytetin janë hartuar plani i konservimit për qendrën historike, i cili pritet të miratohet në fund të vitit. Por, sipas Arapit puna më e madhe është master plani i kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz.
“Për kryeqytetin tonë kemi hartuar planin e konservimit i cili i ka përcaktuar kufijtë e qendrës historike të Prishtinës dhe tregon rrugën se si duhet të vazhdojmë për të ruajtur, por gjithashtu për ta zhvilluar në mënyrë të balancuar kryeqytetin. Ky plan së shpejti del në diskutim publik dhe pritet të miratohet deri në fund të këtij viti. E kur jemi tek rezultate e arritura, në fushën e trashëgimisë kulturore, vend qendror zë procesi i hartimit të master planit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, ka theksuar ajo.