24 deputetët e përjashtuar të opozitës tentuan të futen në seancën e sotme plenare të Kuvendit, por u ndaluan nga Garda e Republikës.
Ata mbërritën që rreth orës 8:30 në ambientet e Kuvendit, por Garda nuk i ka lejuar të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës së Kuvendit.Më pas deputetët e opozitës u vunë flakën katër manekinëve me fytyrat e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj, që i sollën përpara derës kryesore të parlamentit, duke larguar nga aty simbolin me fjongo rozë për luftën kundër kancerit të gjirit.
Deputeti Flamur Noka i hodhi benzinë manekinëve dhe u vuri flakën, ashtu sikurse ndodhi me karriget e deputetëve në seancën e së hënës.Pas seancës kreu i grupit parlamentar të Partisë demokratike, Gazment Bardhi deklaroi në një prononcim për mediet se, “besoj se cilido që di të lexojë shqip, përjashtimi deputetëve të Kuvendit, 24 deputetëve me masën përkatëse nuk parashikohet në rrethanat që njeh Rregullorja e Kuvendit”.
Pra, shtoi Bardhi, “praktikisht njësoj siç deputetët e burgosur të opozitës janë burgosur pa ligj, edhe deputetët e dënuar janë dënuar pa ligj, sepse ky është një regjim që nuk njeh ligj dhe Kushtetutë, dhe këtë po e tregon edhe me agresivitetin dhe luftën që po bën me deputetët e opozitës, me opozitën në tërësi me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që kanë vendosur t’i qëndrojnë përballë regjimit të Edi Ramës”.
Gjithashtu me 10 ditë është përjashtuar edhe deputeti Edi Paloka./ATSh