Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në çështjen penale për të pandehurin M.M, për heqjen e masës së dorëzanisë dhe caktimin e masës se paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i Organizuar lidhur me veprën penale Prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit M.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe i është hequr masa e dorëzanisë.
Më tej thuhet se gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse rreziku i ikjes i referohet faktit se i pandehuri ka qenë nën masën e dorëzanisë, i cili e ka dorëzuar edhe dokumentin e udhëtimit - pasaportën sipas vendimit të gjykatës, por i njëjti është ndaluar në pikën kufitare më datë 27.09.2024 rreth orës 23:00 duke hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë, pa dokument të udhëtimit – pasaportë, pasi të njëjtit i është ndaluar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës, e që me këtë nëse i njëjti lihet në liri paraqet rrezik real për ikjen e tij, sidomos në territorin e shtetit të Serbisë, pasi i njëjti ka nënshtetësi serbe, andaj edhe rreziku i ikjes, zvarritja e procedurës penale e potencialisht edhe përsëritja e veprave penale ekziston, ngase i njëjti ka vepruar në grup kriminal të organizuar, atëherë gjykata vlerësoj se kërkesa e prokurorisë është mjaftueshëm e bazuar.