Sveçla deklarohet pas aksionit të antidrogës në Pejë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të Njësitit të Antidrogës në Policinë e Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në dy lokacione në Pejë për sekuestrimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike.
Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se goditjet ndaj kësaj dukurie negative rezultojnë të suksesshme kur janë të njëpasnjëshme e të pandërprera.
“Siç kam thënë, pas goditjes së laboratorit tjetër, rreth një javë më parë, prapa grilave është vendi i kriminelëve që merren me veprimtari të tilla”, ka thënë ai.
Antidroga e Policisë së Kosovës në Sferkë dhe Kliçinë të Pejës ka sekuestruar sot mbi 1 ton kanabis në vlerë rreth 5 milionë euro, në aksionin më të madh të antidrogës paslufte në Kosovë, ku është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, ndërsa në kërkim e sipër nga policia janë edhe gjashtë persona të tjerë të dyshuar.
Njëherësh, aksioni vjen vetëm pesë ditë pasi Antidroga e Policisë së Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bodrumin e një banese në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë kishte gjetur një laborator të drogës.