Njohësi i kirurgjisë botërore të traumës Esteban Foianini, pas 25 vjetësh është kthyer në Kosovë, për të ligjëruar në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve.
Foianini, i cili pas luftës shërbeu në kampin ushtarak Bondsteel, konsideron se Kosova ka bërë avancime të mëdha si shtet.
“Kjo në fakt nuk është hera ime e parë në Kosovë, kam qenë këtu në vitin 1999 dhe në vitin 2000, kam qenë kirurg ushtarak amerikan. Kështu që fillimisht isha në Kampin Able Sentry në Maqedoni dhe më pas erdha në Kosovë, dhe u ktheva këtu në vitin 2000 dhe isha në Kampin Bondsteel për katër muaj. Pra, për mua ka qenë një nder dhe emocion i jashtëzakonshëm që doktor Latifi më ftoi të kthehem dhe dua t'ju përgëzoj ju dhe vendin tuaj, sepse kam parë një ndryshim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë dhe më jep kënaqësi të madhe të shoh se si Kosova ka avancuar në 25 vjetët e fundit”, tha ai.
Esteban Foianini, i cili ka një karrierë të shquar në praktikën klinike dhe ushtarake, theksoi se Kosova duhet të ketë qendra për trajtimin e traumës.
Esteban Foianini i cili shërben si Drejtor Mjekësor dhe i Përgjithshëm në Klinikën Foianini në Bolivi në një intervistë për KosovaPress theksoi se pas luftës Kosova nuk kishte as skaner CT, ndërsa sicc u shpreh ai tani shëndetësia kosovare ka përparuar.
Krahas avancimit teknologjisë, kirurgu amerikan i tramuës deklaroi se edhe mjekët kosovar janë të nivelit të lartë.
Në ditën e parë të Kongresit të Katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës janë mbajtur dy simpoziume ku profesorë të njohur vendorë e ndërkombëtarë kanë shkëmbyer praktikat bashkëkohore në fushën e kirurgjisë.
Në kongres po marrin pjesë mbi 50 ligjërues nga SHBA, Gjermania, Austria, Zvicra, Italia, Britania e Madhe, Argjentina, Bolivia, Katari, Republika Domenikane, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Po ashtu, ligjërata do të mbajnë edhe 66 kirurgë nga Kosova dhe rajoni.