Ulutash informon NATO-n për sigurinë në Kosovë para largimit nga detyra
Komandanti në largim i KFOR-it gjeneralmajor Özkan Ulutaş, nga Turqia, ka informuar ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe partnerët operacionalë sot në selinë e NATO-s, ku u takua gjithashtu me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, ambasadorin Boris Ruge.
Ulutash tha se KFOR-i po jep kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, kreu i KFOR-it tha se është e rëndësishme që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara të cilat mund të nxisin tensionet. Ai po ashtu tha se NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Ulutash do të largohet nga detyra më 11 tetor. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani nga Italia.