Kurti-Risch diskutojnë mbi thellimin e marrëdhënieve Kosovë-Lihtenshtajn
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Pjesëmarrjen në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri Albin Kurti e filloi me takimin bilateral me homologun e tij nga Lihtenshtajni, Daniel Risch.
Ky takim u zhvillua teksa në Prishtinë përfaqësues të dy qeverive po zhvillojnë raundin e katërt të diskutimeve rreth marrëveshjes për EFTA, për çka kryeministri Kurti u shpreh optimist për finalizimin e saj që do të kontribuonte në rritjen e raporteve ekonomike dhe tregtare.
Duke qenë përkrahëse e vazhdueshme ndaj proceseve integruese të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e Lihtenshtajnit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale, Kurti dhe Risch diskutuan edhe mbi lehtësimin e bashkëpunimit tregtar përmes eliminimit të tatimit të dyfishtë.