Gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë kompleks e sfidues
Tema
Lexohet për: 4 min.
-900-0-1698773362xserbet-998
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit terrorit në Banjskë të Zveçanit, pritet të nis gjykimi ndaj 45 të akuzuarve. E ky proces gjyqësor nga juristët po vlerësohet kompleks por edhe sfidues për drejtësinë vendore.

Numri i madh i të akuzuarve të përfshirë në aktakuzë, por edhe vështirësia për t’i sjell në gjykatore 42 të akuzuarit, po konsiderohen sfida të cilat do e përcjellin këtë proces gjyqësor.

Problematike për ecurinë e procesit gjyqësor në rastin e sulmit terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator 2023, po konsiderohet edhe mungesa e bashkëpunimi në çështjet penale në mes Kosovës dhe Serbisë dhe refuzimi nga ana e avokatëve shqiptar për t’i mbrojtur personat e nacionalitetit serb që akuzohen për terrorizëm.

Për juristin Artan Çerkini të vështirë këtë proces e bënë edhe llojllojshmëria e veprave penale që dyshohet se janë kryer nga terroristët serbë, por edhe plotësimi i kushteve ligjore për të proceduar në gjykimin në mungesë.

E ekstradimi i 42 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të cilët janë në arrati për Çerkinin është pak i besueshëm.

Ndryshe, nga avokati Artan Çerkini, kolegu i tij, Arbër Jashari beson që aktualisht gjykimi për sulmin në Banjskë do të zhvillohet vetëm për tre të akuzuarit që ndodhën në paraburgim në Kosovë.

Juristi Jashari konsideron se gjykimi në mungesë është vështirë i realizueshëm për të akuzuarit tjerë që janë në arrati.

Sipas tij, Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtarë për dorëzimin e të akuzarëve tek autoritet kosovare.

Aktualisht në Kosovë janë të akredituar rreth 30 avokatë serbë, e për të siguruar mbrojtje për të gjithë të akuzuarit e përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjskë do të nevojitet edhe mbrojtjes nga nacionaliteti shqiptar apo nacionalitete të tjera.

Ndonëse konsiderojnë se nuk duhet të ndodh, refuzimi i juristëve për t’i mbrojtur para gjykatës të akuzuarit për terrorizëm po konsiderohet sfidë.

Nga Oda e Avokatëve të Kosovës thanë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për përfaqësim në rastin gjyqësor për sulmin në Banjskë.

Nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari teksa ka listuar disa nga sfidat që e bëjnë sfidues sigurimin e mbrojtjes nga nacionaliteti shqiptar, tha se refuzimi nuk duhet të ndodh pasi mbrojtja ndihmon  drejtësinë vendore për gjykim të drejtë.

45 serbët e akuzuar në mesnatën e 24 shtatorit 2023, e sulmuan Policinë e Kosovë në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri, Afrim Bunjaku, është plagosur një polic tjetër, si dhe janë lënduar disa të tjerë.

Ndërsa, më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për 45 personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Aktualisht në paraburgim ndodhen vetëm 3 persona të përfshirë në sulmin terroristë në veri të Kosovës.

Sot kur po shënohet përvjetori i parë i sulmit terrorist në Banjskë krerët shtetëror e ndërkombëtar kanë vizituar familjen e rreshterit, Afrim Bunjaku por edhe Banjskën aty ku ndodhi sulmi terrorist.

E thirrje që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës për krimin e kryer janë bërë si nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024