Ambasada e Italisë në Prishtinë, në kuadër të projektit NaturKosovo, u ka dhuruar pajisje të shpëtimit malor klubeve alpiniste të Kosovës, nga i cili kanë përfituar komuna e Deçanit, Pejës dhe Junikut.
Projekti synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.“Ky promovon një partneritet publik-privat për të ruajtur dhe përmirësuar infrastrukturën turistike përgjatë Via Dinarica. Ai synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin. Për më tepër, sipërmarrësit vendas dhe shoqatat e biznesit do të marrin udhëzime nga OJQ-të italiane për të përmirësuar aftësitë e mikpritjes në aktivitetet në natyrë, duke përfshirë alpinizëm, shëtitje, ngjitje dhe ndihmën e parë për individët e lënduar në zona të largëta, komponentë jetikë për të rritur numrin e vizitorëve në këto peizazhe të mrekullueshme”, ka thënë De Riu.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh mirënjohëse për mbështetjen financiare për zhvillimin e shumë projekteve nga qeveria italiane. Ajo tha se kontributi i të gjithë akterëve të turizmit është jetik për sigurinë e aktiviteteve malore dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.Edhe kryetari i komunës së Junikut Ruzhdi Shehu dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Ambasadës së Italisë për bashkëpunimin.
Mirënjohje dhe falënderime ndaj Ambasadës së Italisë shprehën edhe kryetari i Federatës së Alpinizmit dhe Alpinizmit Sportiv të Kosovës, Arianit Nikçi dhe përfaqësues i shërbimit të kërkimit malor të Kosovës Bardhosh Morina.