Arrestohet e dyshuara për mashtrim ndaj disa personave
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Policia e Kosovës ka arrestuar sot të dyshuarën për mashtrim ndaj disa personave. Sipas policisë, në fshatin Loxhë të Pejës, është zbatuar urdhër kontrolli ku është bastisur shtëpia dhe objektet përcjellëse të së dyshuarës femër kosovare nën dyshimin e bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale të ‘Mashtrimit’.
“Dyshohet se e dyshuara e lartcekur, gjatë periudhës kohore 2022/2024 ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju premtuar sera të xhamit në formë të subvencionit, por që palët paraprakisht janë obliguar të paguajnë nga 300 deri 400 euro, me qëllim të sigurimit të transportit dhe montimit të tyre”m thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se lidhur me rastin gjatë bastisjes janë sekuestruar provat si në vijim: një laptop, një vulë, disa folldera me dokumente të ndryshme (si kontrata dhe fletëpagesa ) dhe një telefon.
“Gjatë punës hetimore janë identifikuar dhe intervistuar disa persona si palë të mashtruara dhe vlera e dëmit të përgjithshëm konsiderohet rreth 30,000.00 euro (tridhjetë mijë euro). Në lidhje me rastin e dyshuara është arrestuar dhe është intervistuar në prezencën e avokatit të saj mbrojtës, më pas me vendim të prokurorit kompetent të njëjtës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.