Së shpejti nis renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua
Dyert e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të jenë të mbyllura për rreth një vit për vizitorët për shkak të renovimeve që do të fillojnë së shpejti, ndërkohë që aktivitetet dhe komunikimi me vizitorët do të vazhdojë në forma alternative.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KosovaPress, tregon se renovimet, të cilat përfshijnë depo, laboratorë, sallat ekspozuese, zyrat e punës dhe hapësira e oborrit, do të fillojnë në një të ardhme të afërt dhe kapin koston prej rreth 3 milionë eurosh.
"Tanimë, të gjitha procedurat kanë përfunduar, nënkupton nënshkrimin e kontratës për caktimin e organeve mbikëqyrëse menaxherëve të kontratës dhe udhëheqësve të drejtpërdrejt dhe pritet shumë shpejtë të fillojë renovimi i ndërtesës së muzeut. Ndërtesa i nënshtrohet në tërësi renovimit dhe kjo nënkupton prej hapësirave të depove, laboratorëve, sallave ekspozuese dhe normalisht hapësirave të punës, zyrave ku qëndron stafi profesional dhe hapësira e oborrit... Secila pjesë e institucionit të muzeut e ka rëndësinë dhe peshën e vet. Nëse flasim për hapësirat e depove dhe laboratorëve mendoj që është esenciale për faktin që aty trajtohen dhe aty bëhet kujdesi ndaj fondit muzeor, tepër e rëndësishme...Kostoja, kontrata e nënshkruar është afërsisht tre milionë, është publike. Kurse sa i përket kohëzgjatjes është 10 muaj për fillim dhe përfundim të punimeve", tha Aliu.
Megjithëse muzeu do të jetë i pa qasshëm për vizitorët gjatë rinovimit, Aliu thotë se janë duke shqyrtuar mundësitë për të mbajtur komunikimin me të interesuarit.