Me moton globale “Qeverisja efektive e inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës sot shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ceremonia e hapjes do të fillojë në orën 10:00, me pjesëmarrjen e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, drejtoreshës së lartë rezidente të NDI-së në Kosovë Nancy Soderberg, Blerta Deliu-Kodra anëtare e Forumit për Transparencë.Dita Ndërkombëtare e Demokracisë u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2007 për të promovuar dhe forcuar vlerat demokratike.
Në vitin 1997, Unioni Ndërparlamentar (IPU) miratoi Deklaratën Universale për Demokracinë, e cila afirmon parimet e demokracisë dhe ushtrimin e saj. Kjo deklaratë shërbeu si bazë për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë është "inteligjenca artificiale si një mjet për qeverisje të mirë", me fokus në sigurimin e qeverisjes efektive të inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar, për të shfrytëzuar përfitimet e saj duke zbutur rreziqet e saj.