Danubi po arrin nivelin e para 30 vjetësh, Budapesti alarmon për përmbytje
Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony, ka lëshuar një paralajmërim të nivelit të tretë për përmbytjet për kryeqytetin hungarez nga e hëna, njoftoi sot zyra e tij.
Sipas njoftimit për shtyp, thasë me rërë do të vendosen në zonat më të ulëta të ishullit Margit në Danub, duke theksuar se në varësi të nivelit të përmbytjeve, ishulli mund të mbyllet plotësisht për automjetet dhe këmbësorët në mes të javës së ardhshme.
Bregu i poshtëm i Danubit pritet të përmbytet nga e dita e martë, ndërsa i gjithë bregu përgjatë lumit do të mbyllet nga ora tetë e mbrëmjes të hënën.
Parashikimet e fundit tregojnë se niveli i ujit të Danubit do të arrijë tetë metra në gjysmën e dytë të javës së ardhshme.
Përmbytjet goditën gjithashtu Republikën Çeke dhe Poloninë të shtunën, ndërsa të paktën pesë njerëz vdiqën nga përmbytjet në Rumaninë lindore.
Autoritetet austriake raportuan gjithashtu përmbytje të shtunën në mëngjes. Uji i lumit Danub pritet të jetë në nivelin që arrin një herë në tridhjetë vjet.
Pjesë të Gjermanisë lindore dhe jugore janë goditur gjithashtu nga reshje të mëdha shiu, me Shërbimin Meteorologjik Gjerman (DWD) që parashikon stuhi të tjera.