Shpërthime në Somali, tre të vrarë e disa të plagosur
Të paktën tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në dy shpërthime sonte në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.
Bombat u vendosën përgjatë rrugës kryesore midis rretheve juglindore të Mogadishu, Dharkinley dhe Kahda, e cila përdoret shpesh nga njerëzit.
Një zyrtar i sigurisë në Mogadishu tha për Anadolu në kushte anonimiteti, se numri i të vdekurve mund të rritet duke pasur parasysh numrin e njerëzve që përdorin rrugën në mbrëmje.
Ai tha se forcat e sigurisë kanë shkuar në vendngjarje, duke rrethuar rrugën për qarkullim dhe duke kryer hetime.
Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për dy shpërthimet, por grupi terrorist Al-Shabaab i lidhur me Al-Kaedën ka marrë përgjegjësinë për sulme të ngjashme në kryeqytet në të kaluarën e afërt.
Somalia është rrënuar nga pasiguria për vite me radhë, me kërcënimet kryesore që burojnë nga Al-Shabaab dhe grupet terroriste Daesh/ISIS.
Qe nga 2007, Al-Shabaab ka luftuar kundër qeverisë somaleze dhe Misionit të Tranzicionit të Bashkimit Afrikan në Somali (ATMIS) -- një mision shumëdimensional i autorizuar nga Bashkimi Afrikan dhe i mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Grupi terrorist ka shtuar sulmet që kur presidenti somalez Hassan Sheik Mohamud i shpalli një "luftë gjithëpërfshirëse" grupit. /AA