Vuçiq rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.

“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq sot gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është të pengojmë këdo në na kërcënon çdo ditë pa pasur frikë”, shtoi ai, duke mos specifikuar se kush po e kërcënon Serbinë.

Një ditë më parë kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, tha se Qeveria serbe është e gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.

Kroacia fqinje po ashtu ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari i vitit 2025 do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024