Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe aktivitete të koordinuara ndërmjet dy bankave qendrore duke kontribuar në stabilitetin dhe rritjen ekonomike rajonale.
Nënshkrimi i memorandumit është bërë gjatë vizitës dyditore të delegacionit të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut në vendin tonë.Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili dhe homologia e tij Angelovska- Bezhoska, patën një diskutim gjithëpërfshirës për zhvillimet aktuale, me theks tek objektivat dhe planet strategjike, si dhe perspektivën e ardhshme.
Gjithashtu, takimi kishte qëllim bashkëpunimin në funksion të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave që kontribuojnë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare.Gjithashtu u trajtuan avancimet në kornizën dhe instrumentet makroprudenciale, duke përfshirë praktikat aktuale dhe ndikimin e instrumenteve të ndryshme makroprudenciale që përdoren nga të dyja bankat qendrore.
Po ashtu, takimet trajtuan avancimet në fushën e sistemit të pagesave, me fokus integrimin në SEPA dhe zbatimin e pagesave të shpejta.