“Për Identitet dhe Dinjitet” në Preshevë do të marshohet për të drejtat e shqiptarëve atje
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua
“Për Identitet dhe Dinjitet” do të jetë sërish moto e protestës së organizuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata kanë vendosur që sërish të marshojnë kundër diskriminimit të vazhdueshëm që po u bëhet nga ana e Serbisë. Marshi i shqiptarëve në Preshevë do të nis nga stadiumi i qytetit dhe do të vazhdojë deri tek qendra e këtij qyteti.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se marshi do të mbahet më 23 shtator nga ora 13:00 në Preshevë.
“Dje Këshilli Organizativ kemi marrë vendim që të publikojmë lajmin se protestat vazhdojnë. Ju e dini se më 12 gusht e kemi pasur një protestë në Bujanoc, në atë protestë ne kemi paralajmëruar se reagimi do të vazhdojë. Dhe ky është aktiviteti i dytë ose organizimi i dytë të cilin e realizojmë në kuadër të fushatës kundër diskriminimit që shteti i Serbisë po e bën kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për dallim nga Bujanoci, ku e patëm një formë tjetër të organizimit, në Preshevë kemi vendosur që ta realizojmë protestën përmes një marshi. Ku fillojmë nga stadiumi i qytetit të Preshevës deri tek qendra e qytetit, deri para Komunës së Preshevës”, njofton ai.
Edhe në këtë organizim, Lutfiu shton se do të kërkohen të drejtat dhe do të refuzohet diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve.
Pas protestës së parë e cila u mbajt muajin e kaluar në Bujanoc, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se ka pasur reagime të partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas protestës, serbët kanë vendosur dy mbishkrime me thirrje për vdekjen e shqiptarëve, por që autorët ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se do të dërgojnë kërkesën për pjesëmarrje e mbështetje të marshit të gjithë akterëve, përfaqësuesve të institucioneve e shoqërisë civile. Ai pret që të ketë numër të madh të qytetarëve të cilët do të marshojnë për të drejtat e tyre në Preshevë.