Qendra e Studentëve edhe këtë vit ka hapur dyert për banorët e saj të rinj. Këtë vit në konviktet e Qendrës së Studentëve pritet të pranohen rreth 4 mijë studentë, ndërsa në mensë do të ushqehen edhe 1 mijë e 500 studentë të tjerë.
Për konkursin për pranim të studentëve në konvikte për këtë vit akademik sot ka folur për KosovaPress, drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari i cili shpalosi edhe disa nga risit që i presin studentët këtë vit.Drejtori i Qendrës së Studentëve thotë se konkursi për pranim të studentëve nuk është hapur më herët pasi kanë pritur pranimin e studentëve në afat të dytë.
Studentët që do të pranohen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të paguajnë gjithsej 35 euro për banim dhe ushqyerje në mensë.Ndër vite Qendra e Studentëve është ballafaquar me dukurinë e shitblerjes së vendeve nga studentët, por drejtori i QS-së shprehet se këtë dukuri kanë arritur ta luftojnë dhe ndaj shkelësve të ndërmarrin masa.
Sa i takon ushqyerjes në mensë, krahas mëngjesit suedez i cili ka qenë risi nga viti i kaluar në mensën e studentëve, këtë vit ka një rritje të llojllojshmërisë të ushqimeve. Edhe këtë vit ka lehtësime për kategoritë e luftës, si dhe për studentët me gjendje jo të mirë ekonomike.