Nisin punimet për ndriçim në Shtime, Krasniqi: Qytetarët po përfitojnë nga Granti i Performancës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Sot është përuruar fillimi i punimeve të projektit “Zgjerimi i ndriçimit publik në qytet dhe në fshatra”, në Carralevë të Shtimes, me ç’rast do të përfitojnë 13 fshatra dhe disa lagje të qytetit. Ky projekt është financuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Helvetas Swiss Intercooperation pas përfitimit të Grantit të Performancës të vitit 2023 në vlerë afro 400 mijë euro.

Me rastin e vënies së gurëthemelit të hapësirave për vendosjen e shtyllave të ndriçimit në Carralevë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e konsideroi si të rëndësishëm faktin që projektet e financuara në komunën e Shtimes nga granti i performancës po marrin formën e saj dhe qytetarët po përfitojnë.

Ai potencoi se ndriçimi i qytetit të Shtimes dhe fshatrave ndikon në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj komune.

“E rëndësishme që tashmë projektet e financuara në komunë nga granti i performancës po marrin formën e saj dhe qytetarët po përfitojnë. Sigurisht që ndriçimi i qytetit të Shtimes dhe të fshatrave ndikon edhe në sigurinë në bashkësi dhe mandej ndihmon zhvillimin e përgjithshëm në këtë komunë. Granti i përformancës është i planifikuar që të jetë në mbështetje të komunave, e komunat në mbështetje të qytetarëve”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se është vendosur që e tërë shuma prej rreth 400 mijë eurove e përfituar nga granti i përformancës, të investohet në ndriçimin publik të kësaj komune.

Aliu potencoi se nga ky projkt do të përfitojnë 13 fshatra dhe disa pjesë të qytetit, derisa shtoi se do të vendosen rreth 600 ndriçues.

Ai theksoi se ky projekt pritet që të përfundojë në fund të muajit nëntor të këtij viti.

“Sot jemi këtu në fshatin Carralevë me ministrin Elbert Krasniqi për të përuruar fillimin e një projekti që është i financuar nga MAPL, ministri Krasniqi, përkatësisht përfitimin e Grantit të Performacës që e kemi pasur ne si komunë e Shtimes. Është një shumë afër 400 mijë euro që është përfituar nga grandi i përformancës dhe kemi vendosur që ketë grant ta investojmë të tërin në ndriçimin publik në Komunën e Shtimes. Do të përfitojnë diku 13 fshatra dhe qyteti. Do të jenë diku mbi 600 trupa ndriçues në total dhe ky projekt pritet që të përfundojë nga fundi i nëntorit...E dini që fshati Carralevë graviton rreth rrugës magjistrale që e lidh qytetin e Shtimes dhe Suharekës. Qytetarët e këtij qyteti janë të rrezikuar. Para pak kohësh e kemi ndërtuar edhe trotuarin tani po ia shtojmë ndriçimin”, potencoi Aliu.

Zgjerimi i ndriçimit publik në Shtime përfshinë fshatrat Godanc i Poshtëm, Godanc i Epërm, Lagja e Pajtimit, Belinc, Carralevës, Pjetërshticë dhe Petrovë. Fshatra të tjera përfituese të këtij projekti janë Davidoc, Rashnicë, Gllavicë, Gjyrkoc, Reçak dhe Mollopolc./Z.Zeneli

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024