Miliarderi amerikan bëri shëtitjen e parë private në hapësirë
Ekuipazhi i misionit privat të SpaceX Polaris Dawn ka kryer ecjen e parë komerciale në hapësirë në historinë njerëzore.
Miliarderi i teknologjisë Jared Isaacman dhe inxhinierja e SpaceX Sarah Gillis kanë dalë nga kapsula e Crew Dragon me kostume hapësinore në një lartësi prej rreth 740 kilometra mbi Tokë.
Shëtitja hapësinore u zhvillua dy ditë pasi Isaacman, Gillis dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit u ngritën nga Kompleksi i nisjes hapësinore Cape Canaveral në bregun perëndimor të shtetit amerikan të Floridës.
Astronautët kanë testuar një kostum të ri hapësinor të krijuar për misione të mundshme në Hënë dhe Mars.
Isaacman dhe Gillis ishin të lidhur me anijen kozmike gjatë gjithë kohës, duke marrë oksigjen përmes një zorrë. Shëtitjet në hapësirë u kryen pas një vonese për të cilën SpaceX ende nuk i ka bërë të ditur arsyet.
Ish-astronauti gjerman Ulrich Walter tha se ecja në hapësirë është një manovër e rrezikshme dhe se astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) zakonisht kanë disa javë përshtatje përpara se të shkojnë në hapësirë.
Walter shtoi se fakti që asnjë nga katër anëtarët e ekuipazhit nuk janë astronautë të trajnuar në mënyrë konvencionale është "një shenjë progresi për udhëtimin në hapësirë". Për Walter-in, misioni Polaris Dawn nuk është aq një arritje shkencore sesa një demonstrim i mundësive të turizmit hapësinor.
"Është për t'u treguar njerëzve se edhe jo-astronautët mund të fluturojnë mirë," tha ai.