OEAK: Qeveria të përmbahet nga masat që përjashtojnë Kosovën nga nismat rajonale
Biznes
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i vlerëson si shqetësuese paralajmërimet e ditëve të fundit lidhur me mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga nismat e bashkëpunimit rajonal për shkak të qasjes aktuale.

“Duke përsëritur thirrjen e saj ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për shfuqizim të masës që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, Oda Amerikane thekson se një masë e tillë rrezikon jo vetëm të arriturat e shënuara përgjatë viteve, por kërcënon prospektet e ardhshme të Kosovës, të cilat do të rezultonin nga bashkëpunimi ekonomik”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se Oda Amerikane rithekson se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për realizimin e aspiratave për integrim euro-atlantik, ndërsa qasja aktuale e cila mund të çojë në izolim ekonomik e politik, do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, aq më tepër që paralajmërimet e tilla nuk duhet të shihen si retorikë boshe, meqë tashmë Kosova është duke u ballafaquar me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat rezultojnë në mundësi të humbura të zhvillimit ekonomik dhe përparimit social.

“Duke qenë të vetëdijshëm për barrierat e shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet për plasimin e produkteve të tyre në tregun rajonal, Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se këto sfida duhet të adresohen përmes mekanizmave të paraparë në kuadër të aranzhimeve për tregti të lirë dhe përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv”, thuhet në komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të konsiderojë rëndësinë e koordinimit me të gjitha shtetet aleate, dhe të përmbahet nga veprimet që kanë efekt të kundërt në realizimin e synimeve të përbashkëta për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Investitorët seriozë duhan të investojnë nga tregjet e mëdha dhe të integruara, ndërsa Kosova duhet të pozicionet në mënyrë të duhur për të realizuar potencialin e saj të plotë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024