Parandalimi i vetëvrasjeve, Osmani ka një kërkesë për deputetët e Kuvendit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbështetur peticionin për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes dhe u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që këtë nismë të shoqërisë civile ta trajtojnë me prioritet në fillim të sesionit vjeshtor.
Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, shoqëria civile ka mbledhur një peticion me mbështetjen e mbi 13.000 qytetarëve, për të trajtuar këtë dukuri shqetësuese, ku vetëm për pesë muaj këtë vit ka pasur 11 vetëvrasje.
Duke e quajtur peticionin një hap të duhur, e para e vendit tonë ka theksuar se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të luftohet dukuria e rrezikshme e vetëvrasjeve dhe se askush nuk duhet të ndihet i vetëm.
“I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë”, ka shkruar Osmani në Facebook.