​Gjykata merr vendimin e ri për Salih Mustafën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka shqiptuar sot dënimin e ri prej 15 vjetësh ndaj Salih Mustafës, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e Mustafës për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e tij me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues dënoi Sali Mustafën me 26 vjet burg. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të Mustafës.

Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kundërshtimet e paraqitura nga Mustafa që kundërshtonin aktgjykimin e trupit gjykues, ndërsa miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.

Rrjedhimisht, paneli i apelit zvogëloi dënimin e njësuar të Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim. Mustafa kundërshtoi aktgjykimin e Apelit duke parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë para Panelit të Gjykatës Supreme.

Më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e Mustafës me 22 vjet burg dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024