Liga e Kombeve, Italia e Franca shënojnë fitore në grupin A2
Sport
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Franca dhe Italia kanë shënuar fitore të rëndësishme në grupin A2 të Ligës së Kombeve.

“Xhelat” si vendës mposhtën sonte kombëtaren e papërshtatshme të Belgjikës me rezultat 2:0, duke kthyer shpresat në luftën për vendin e parë në grup pas humbjes ndeshjen e parë nga Italia.

Autori i golit të parë në stadiumin “Groupama” të Lionit ishte Randal Kolo Muani në minutën e 29-të pas asistimit të Ousmane Dembele. Ky i fundit ndërkaq shënoi golin e dytë për kombëtaren franceze në minutën e 57-të, pas asistimit të N'Golo Kante.

Në ndeshjen tjetër, të përzgjedhurit e trajnerit Luciano Spaletti u treguan më të mirë në udhëtim duke e mposhtur Izraelin me rezultatin 2:1. Golat për “azzurët” i shënuan  Davide Frattesi në minutën e 38-të, pas asistimit të Federico Dimarco dhe Moise Kean në minutën e 62-të.

Golin e vetëm për Izraelin në këtë ndeshje e shënoi Abu Fani në minutën e 90.

Ndeshja u zhvillua në terrenin neutral, “Bozsik Arena” të Budapestit, për shkak të situatës në Izrael.

“Azzurët” prijnë në tabelë me gjashtë pikë, pasuar nga Franca e Belgjika me nga tri, ndërsa Izraeli renditet i fundit pa asnjë pikë.

Kujtojmë, Italia mposhti Francën në ndeshjen e parë të grupit si mysafire më 6 shtator  - 3:1, ndërsa Belgjika ishte më e mirë si vendëse ndaj Izraelit - 3:1.

Më 10 tetor Izraeli do të luajë kundër Francës, ndërsa Italia pret në stadiumin e saj Belgjikën. Katër ditë më vonë përballen Belgjikë-Francë dhe Itali-Izrael. Ndeshjet përmbyllëse të grupit zhvillohen më 17 nëntor – Izrael-Belgjikë dhe Itali-Francë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024