Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet me kryetarët e komunave veriore të vendit dhe drejtorët komunalë. I shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kësaj radhe mirëpritën për mëngjes pune në kryeministri, Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojeviq dhe drejtorë komunalë.
“Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale. U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës”, thuhet në njoftim.“Kryeministri Kurti i falënderoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Leposaviqit për punën dhe angazhimin e përditshëm dhe për bashkëpunimin e ngushtë me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Bashkë me ministrat në takim, ai i ofroi kryetarit Hetemi dhe nënkryetares Bogojević, mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor”, përfundoi njoftimi.