Yjet Modriq e Ronaldo sigurojnë fitoret e Kroacisë e Portugalisë
Sport
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Kroacia ka mposhtur Poloninë, ndërsa Portugalia Skocinë në ndeshjet e xhiros së dytë të grupit A1 të Ligës së Kombeve.  

Goli për Kroacinë në stadiumin e Osiekut erdhi vetëm në pjesën e dytë dhe atë në minutën 52-të kur Luka Modriq mposhti portierin mysafir Lukasz Skorupski për 1:0.

Në këtë mënyrë kroatët arritën deri te fitorja e parë dhe vendi i dytë në grup me tri pikë, po aq sa edhe  Polonia e treta, por me gol-diferencë më të dobët.

Portugalia ndërkaq me shumë vështirësi arriti te fitorja në stadiumin Da luz në Lisbonë përballë Skocisë së papërshtatshme. Kjo e fundit erdhi në epërsi përmes golit të Scott McTominay qysh në minutën e shtatë, me të cilin rezultat (0:1) përfundoi edhe pjesa e parë.  

Trajneri Roberto Martínez në fillim të pjesës së dytë kreu dy zëvendësime duke larguar nga fusha Joao Palhinha dhe Pedro Neto, në vend të cilëve hynë Ruben Neves dhe Cristiano Ronaldo.

Portugezët në vazhdim u treguan më të rrezikshëm ndaj kundërshtarit, duke arritur te barazimi përmes Bruno Fernandes, në minutën e 54-të, pas asistimit të Rafael Leao. Ndërsa fitoren e madhe për vendin e parë në grup e siguroi Cristiano Ronaldo dy minuta para përfundimit të ndeshjes.

Në tabelë prin Portugalia me gjashtë pikë nga dy ndeshje dhe po aq fitore, teksa Skocia renditet e fundit në grup pas asnjë pikë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024