Kurti: Me vëmendjen e duhur shtetërore, drejt zbulimeve të reja arkeologjike
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se arkeologjia po merr vëmendjen e duhur shtetërore dhe se po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të menaxhimit, bashkëpunime ndërkombëtare, studime dhe publikime.

Ai ka bërë të ditur se këtë vit po punohet në projekte të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë, ku po trajtohen lokalitetet arkeologjike, si Kalaja e Vuçakut në Drenas, Kalaja e Dardanës në Kamenicë, Kalaja e Kastercit, Suharekë, Kalaja e Marecit në Prishtinë, Kalaja e Harilaqit, Fushë Kosovë, Kalaja e Korishës, Prizren, Kalaja e Keçekollës në komunën e Prishtinës, lokaliteti arkeologjik në Hisar, Suharekë, lokaliteti në Bostan, Novobërdë dhe Cernicë të Gjilanit.

Deri në fund të këtij viti do të vazhdohet me punë tek Ura e Gurit në Vushtrri, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Pogragjës në Gjilan, lokaliteti arkeologjik në Leshan të Suharekës, gjetjet e strukturave arkeologjike në Kaçanik dhe në fshatin Vrellë, në Istog, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Tubingenit në Gjermani.

“Ky projekt kërkimor i rëndësishëm, që do të realizohet nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me specialistë nga Gjermania, do të përqendrohet në identifikimin dhe gjurmimin e qendrave paleolitike, si dhe në krijimin e një harte të shpellave dhe lokaliteteve paleolitike dhe mezolitike në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se në një prej lokaliteteve më të rëndësishme, Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, po zgjerohet hulumtimi dhe po vazhdojnë gërmimet drejt zbulimeve të reja.

Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon projekti i trajtimit të lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinës, ndërsa vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut në Drenas, është zbuluar një altar romak i gjysmës së parë të shekullit III pas Krishtit.

Objekti është një spolie e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 pas Krishtit). Altari është i një rëndësie të veçantë dhe tregues se ka vazhdueshmëri jetese që nga parahistoria, antika deri në mesjetë.

Gjetje të rëndësishme kishte edhe në afërsi të lokalitetit arkeologjik Hisar në Suharekë. Gërmimet në këtë hapësirë kanë sjellë të dhëna për kulturën e Eneolitit të vonë, gjithashtu periudhën iliro-dardane në disa zona të lokalitetit.

Gjatë vitit të kaluar ka përfunduar rehabilitimi i lokalitetit arkeologjik në qendër të Prizrenit, ndërkohë që Instituti Arkeologjik i Kosovës ka përgatitur materiale për publikime dhe botime për të prezantuar rezultatet e hulumtimeve dhe zbulimeve arkeologjike në vend.

Disa nga botimet e fundit janë revista “Kosova Arkeologjike”, monografia “Varreza tumulare e Dollcit,” ndërsa në qershor është dërguar për botim në revistën “Iliria” në Tiranë, artikulli “The Dardanian Settlement of Cernica - Vendbanimi Dardan në Cërnicë”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024