Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendosja e bllokadave nëpër pikë-kalimet kufitare nga ana e Serbisë është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë e rajon.
Ajo tha se në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit, Serbia po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë.“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.…I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, tha Osmani.
Pika kufitare në Merdarë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë e mbyllura, ndërkaq në Jarinje është raportuar se ka qarkullim të veturave.
Pas mbylljes së pesë zyrave të strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës me dyshimet për falsifikim me dokumente, Këshilli për Bllokada i Serbisë paralajmëroi bllokim të pikë-kalimeve kufitare.