Një grup serbësh pas orës 18:00 kanë bllokuar edhe pikën tjetër kufitare - atë në Merdare.
Serbët e mbledhur në territorin e Serbisë lejonin për kalim vetëm veturat me targa dhe dokumente serbe, teksa ato me targa të Kosovës ndaloheshin dhe kontrolloheshin për të parë nëse kanë dokumente serbe.Pas orës 18:00 bllokim të kufirit ka pasur edhe në dy pikat tjera kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa kjo e fundit është mbyllur pasi janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar, të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ndërkohë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe diasporës kosovare t’i shmangin vendkalimet kufitare me Serbinë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se një familjeje, e cila po udhëtonte drejt Gjermanisë, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.Kryetari i të ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të qarkut Mitrovicë e Kosovës Rasha Rojeviq, ka konfirmuar për mediat serbe se pas orës 18:00 kanë bllokuar vendkalimet kufitare në Bërnjak, Jarinje, Merdare, Kullë, ndërsa ka paralajmëruar se Konçuli në afërsi të Bujanocit mund të bllokohet nesër.
“Do të ndërpritet transporti i mallrave dhe do të ndalohen të gjithë ata që kanë ekskluzivisht dokumente të Kosovës, të gjithë të tjerët mund të kalojnë dhe të lëvizin”, tha Rojeviq.
Bllokada e vendkalimeve kufitare është organizuar nga shoqatat lokale nga Beogradi, Nishi, Novi Sadi, Kraleva, Kragujevci, Smedereva, Rashka, Nikshiqi, Bjello Pole, Berane, Banja Lluka, me kërkesë për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu, pas mbylljes së institucioneve paralele serbe javën e kaluar.