Kurti: Policët tanë kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës krerët e shtetit nderuan jetën e policëve të rënë në krye të detyrës  dhe vlerësuan lartë përkushtimin dhe angazhimin e pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe respektuara të vendit tonë, duke ndikuar në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.

Osmani potencoi se kontributi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është kyç për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Derisa vlerësoi lartë sakrificën e  pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës, e para e vendit theksoi se PK-ja duhet të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë saj në hapa të sigurt, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët tanë kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së shtetit tonë.

Kurti potencoi se veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit nga grupet  kriminale të dirigjuara nga Serbia, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve e të sovranitetit shtetëror e integritet territorial

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vlerësoi se themelimi i Shërbimit Policor të Kosovës ishte domosdoshmëri e kohës dhe vendit.

Sveçla potencoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare si edhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve  kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se përgjatë këtyre 25 viteve është dëshmuar se ky institucion është ndërtuar mbi themele të forta për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë.

Hoxha potencoi se PK-ja ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Në këtë ceremoni qendrore u intonua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës në 25-vjetorin e themelimit të saj.

Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi shkollën e policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lajmi në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024